Urime një miku, gazmend me zemër dhe klik

Print

Nga Albert Vataj

Ditët e fundvitit, ngasin turravrap mes llamburitjeve festive, urimeve, doreshtërngimeve, blerjeve, gatimeve, punëve me themel, kaplimit me zell të gjithçkasë që denget në cakun e gjanave që sosen, siç mbërthen një sfidant trofeun e fitores. Sekush e ka të përcaktuar qartë vendvendosjen e tij në këtë panoramë vigjiljesh dhe gazmendi. Po ajo që është një për të gjithë, që është qasur të gufojë në zemrën e jo të gjithëve është kartolina e urimit për festat e fundvitit. E pse jo dhe një mesazh elektronik, me dedikim domosdo, ndoshta jo të gjithëve që njeh, por vetëm atynë për të cilët shpirti dhe zemra ta do ta përcjellësh në këto ditë të ftohta tançka ambrozi i shpirtit gatuan me zjarr. Dashuria jonë për të rrokur me afsh dhe pasion çdo novitet, tançka vjen e ndryshon ditën dhe jetën, është legjitime, gjehet e predikuar në shënjtnimin e të tashmes. Ajo asht bota e www-s, mundësia më e pashoq për të guxuar dhe për të mundur të kapërthesh cep më cep si kahet e meridianbeve, botën. Kjo qasje e zellshme ka kall ndër ne një dëshirë virtuale për të ndarë me të dashtunit, shtrenjtit dhe të njohurit urimet e festave të fundvitit dhe këtë e kungon çdo shërbestar dashnie, edhe unë. Duke nisur nga SMS-të, për të vazhduar me Facebook, Twitter, Netlog, Hotmail, Yahoo, Gmail, për të përfunduar në pafundësi dritaresh ku kqyremi dhe shkëmbehemi me shoqishojn. Kjo mori mundësish, ky kollajllëk për të kënaqur njiheresh të gjithë, duket se e ka transformuar, atë që mbetet gjëja më e fisme e festave, urimin, në një mjet, objekt, send, jo gjendje, jo ndjesi, jo dedikim. Stuhia e urimeve si përmot edhe këtë vit do të jetë e papërballueshme, kaluese, si vetë ajo brendi që na ysht me ken në gazmende me të gjithë. Sekush ka një dikë, apo shumëkënd, që i detyrohet për një urim, një togfjalësh prototip. E sajon shpejt e shpejt, ose e kopjon diku dhe ia delegon njiheresh gjithçfarë celulari ruan në numëratorin e tij. Më pas lëshon një psherëtimë, shkrehesh në skutën e vetmisë dhe ofshan, njësoj sikur lëshon përdhe një barrë të rëndë nga supet e përthyera. Bind veten se i ke shlyer të gjitha detyrimet, ke larë të gjitha borxhet, i ke bërë të gjitha çokat dhe tash ke të drejtën t’i kthehesh angazhimeve. Ashtu siç e dërgon kjo buçetë urimi dhe gazmendi, ashtu edhe fashitesh gjithëkjo temperaturë dhe vlim gjaku, duke lënë nga pas një shije të amësht, një shije që të lënë zakonisht të ngrënët me ngut. Viktima është kartolina, ajo që ka qenë simbolika e festave, sharmi i këtij gazmendi të përbashkët, ambrozi i këtij dedikimi të pazëshëm, por të gatuar me brumin e kujtimeve.

Nuk e di se ngase e për çfarë u turrëm të gjithë nga mundësia e hiçit që duke menduar se të ofron gjithçka, të ofroka edhe dashuri, edhe mall edhe urim. Mundësia për të mbetur viktima në kurthet e një realiteti virtual është ajo e tashme prej nga vetëm shpëtim nuk ka. Nuk është vetëm tradita e urimeve të dedikuara ajo që po përjeton lamtumirën e pakthim, është edhe vullnesa jonë e tunduar që duke u dhënë pas pafundësisë së mundësive, ka pranuar fikjen e ngadaltë, duke u hedhur kështu në krahët e ftohtë të plogështisë dhe falsitetit. Ka dhe një premisë pozitive kjo lëngatë e ndjenjave, për të ndarë gëzimin nga përzemërsisht dhe prezentësisht në virtualisht. Në këtë fillesë dhe vazhdë marrin krahë dhe flatrojnë të lirë gjithë ajo botë meskine, e vogël, hileqare, hipokrite dhe teveqele, e cila jeton jetën e vet nër ne. Pra, kjo ngasje virtuale mundëson sekënd me ba atë që njena pjesë e vetes tonë nuk e mëton. Fundja pse duhet të mos jemi praktik, të kollajshëm dhe me ngut, çfarë janë urimet e festave më shumë se vetë filozofia, me të cilën të gjithë me shoqishoqmin ndërtojmë si urë komunikimi dhe bashkëjetese. Anipse dashtazi më duhet me ken kundër, fortësisht dhe tan helm e zemërate. Përkundër kësaj dhe dashtazi nisun nga kjo yshtje gjej në vetvete një motivim të madh me kumtu se nër ne duhet ma shumë se detyrim vullnesa për me përcjell me të dashtunit e zemrës dhe të mendjes një urim me dedikim, me një kartolinë apo një klik, qoftë. E tash, e pohoj botnisht se kaq kohë i’a kam dedikuar një mikut tim të mirë dhe zemër bardhë, me të cilin na lidh dija, ma shumë se kurrçka tjetër, e që të dy gjejm te njani-tjetri, kohë dhe mundësi të shenjt për miqësi të shtrenjt.

Këtë urim, me zemër e me shpirt ia dedikoj mikut time H.T, i cili me sy e zemër pati vullnesën e mirë dhe kanden bujare me m’dërgu nji kartolinë që përtej Atlantikut, për me u ba pjesë e atmosferës dhe përjetimit gazmues të festave të fundvitit. Ai i besoi dedikimit për me mëtu jo vetëm një urim, por nji mesazh të çmuar që ai i jep misionit fisnik të miqësisë. Ai do të mundte, kollaj krejt t’i bashkëngjitet një vargani të madh shtijakësh, fallsifikatorësh, hipokritësh dhe egoistësh, të zatetej në ndenjësen e tij dhe të bashkëngjiste edhe urimin për mikun e tij me një tufë urimesh të tjera dhe t’ua turrë njiheresh, me një klik të gjithëve. Por jo, ai kërkonte shumë më shumë në veten, kohën dhe impenjimet, për të dërguar një kartolinë një miku të fyer. Dhe e bëri!

Rreth Albert Vataj

Lindur në qytetin e Shkodrës më 23 korrik 1966.

Lini një Përgjigje

Fill in your details below or click an icon to log in:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Log Out / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Log Out / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Log Out / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Ndiqe

Get every new post delivered to your Inbox.