Dosja “Arshi Pipa”!

FigurëMbasi po tjerret gjate kjo pune atehere na “Dosjet po i hapim vete”: Pjese e nxjerrun nga libri “Nji monument nen dhè” i shkodranit Fric Radovani sot shtetas australian, i bazuem ne fotokopjet e dosjeve qe ai ka ba ne Ministrine e Puneve te Brendshme perpara se te ikte nga vendlindja. Faqe 133-137 Dosja “PROF. ARSHI PIPA DHE PROF. PRENKË KAÇINARI”:

 

Me kalimin e kohës Sigurimi i Shtetit sa vinte e bahej ma i ashpër dhe i rrezikshëm. Përditë e ma tepër specializohej në drejtim të së keqes. Sigurisht, që në fillim i mungonte eksperienca, por shpirti i keq dhe i mbrujtun me krime ishte zgjedhë me kujdesin ma të madh ndër këta organe të mnershme e terroriste. Bie në sy që në fillim të vëprimëve të para mënyra e përzgjedhjes së elementit që kanë ndër mend me arrestue. Kryesisht merrët pikë orientuese shkolla që ka krye ose vendi ku ka përfundue shkollën e mesme ose të lartë. Kontrollohej rrethi familjar dhe shoqnor, e para, a ka simpatizue doktrinën komuniste ose jo, dhe, se a mund të na shërbejnë ne ose jo. Në shenjë janë shkollat e Françeskanëve dhe të Jezuitëve, ndërsa në pikëpamje mbarshtetnore janë në shënjestër edhe ata që kanë përfundue gjimnazin e shtetit në Shkodër. Ishte koha kur ish studentët e vitëve maparë kishin mundësinë me u hakmarrë ndaj atyne që nuk ishin angazhue në rrethët komuniste, që nuk i kanë simpatizue, ose kanë kenë indiferent ndaj vëprimeve të tyne. Kush mund të kishte shprehë ndonjë fjalë, u quejt menjëherë “armik i popullit”, ose u mendue si “zog” i çelun në çerdhën e reaksionit që ishte “Shkodra”. Shumë nga studentët e ardhun në Shkodër, pa përjashtue ata që jetuan në Konviktin e njohtun “Malet tona” ose që kanë banue në Shkodër, por, që kanë ndjekë shkollën në këtë qytet kjoftë edhe atë femnore të Motrave Stigmatine, apo “Donika Kastrioti”, u ndoqën njësoj si nxanësit e shkollës Fullcit. Piknisja e Sigurimit të Shtetit nuk ishte vëprimtaria e një personi, shkolla ishte pika e referimit, ndërsa, themelore ishte ajo që i shkonte në mend Sigurimit, se mundët me pasë koka e atij që kishte atë rrezik me u vue në listën e njerëzve të rrezikshëm për pikëpamjet e tia, kjoftë edhe të pashfaquna. Pra, mjaftonte me i shkue mendja dikujt nga kta terroristë se ky përson asht “i pakënaqun” e, mbyllej dosja, sigurisht tue paracaktue edhe dënimin e “merituem”. Hys Zaja me një copë letër, madje, pafarë kursimi, të çonte në duert e kriminelëve: Cuf Lohës, Ali Qorrit, Ndrekë Nallbanit, Filip Pemës, Qamil Gavoçit, Kolec Ilisë, Petro Ballatës, Qazim e Fadil Kapisyzit, Jonuz Dinit, etj. ose, një telefon nga “qendra” dhe të merrte dreqi sa nuk dijshe a do të shihësh ma dritën e diellit. Po, sa, të pafajshëm u zhdukën prej duerve të këtyne katilave? As nuk bahet fjalë se ka me u dijtë e vërteta ndonjëherë. Derisa të mbulohet genocidi që i asht ba popullit shqiptar, shqiptarët do të vazhdojnë me kenë të fyem dhe të poshtnuem. Me këtë mendim besoj do të ishin dakord edhe Prof. PRENKË KAÇINARI e Prof. ARSHI PIPA. Të dy ishin të burgosun në vitin 1947. Të dy “armiqë të popullit”, të dy të sëmurë në Sigurim me t.b.c., të dy të masakruem ndër tortura, të dy t’uritun, të dy të “pa marrun vesht”, të dy të humbun ndër birucat e burgjëve të Durrësit, të dy “agjenta” se kanë mbarue shkollat e larta, të dy direkt ose indirekt të simpatizuem nga intelektualët e mbarë Shqipnisë, të dy të respektuem dhe të nderuem nga të gjitha gjeneratat që kanë ndigjue mësim nga kata vigaj të kulturës shqiptare, të dy me një hap marrshi drejt majave të vështira, por që vezullonin si zafire për me ndritë me dijën e tyne rrugën e brezave të ardhëshme drejt Evropës. Por, ç’e don, të dy të “infektuar” nga Kleri Katolik! Prandej, dënimi i dhanun nuk asht i mjaftueshëm… duhën ridënue… Ashtu u veprue!

PROF. ARSHI PIPA “(Dosja 1167), vjeç 27, lindur në Shkodër (nga Libohova), banues në Durrës, profesor, në gjendje ekonomike të mirë, i dënuar nga Gjykata Usht. Tiranë me dy vjet privim lirie, për vëprimtari kundër Pushtetit Popullor, u muar sot më 5 dhjetor 1947 në pyetje nga Prokurori Publik i Prefekturës së Durrësit Sotir Qiriaqi:

- I pandehuri ka patur të proçeduar për veprimtari antipushtet, vëllain e tij Muzafer Pipa, i vdekur në burgun e Shkodrës…”. Në rreshtin e parë fillon gënjeshtra! Duhej shkrue: “… Muzafer Pipa, i vdekur në tortura në Sigurimin e Shtetit në Shkodër… i padënuar…”. Vazhdon ma poshtë prof. Pipa:

- Për akuzat e reja që m’atribuohën si rrjellim çka ka dalë nga proçesi i Gjyqit të Tiranës, kundër grupëve të organizueme kundërshtare, unë jam krejt në padijeni të tyne, dhe nuk asht aspak e vërtetë që kam qenë bashkëveprues me të dënuemit, ose të pandehurit e grupëve të Durrësit të kësaj organizate. Unë shtoj, se edhe dënimi em i maparshëm, me akuzat që mu banë në atë gjykim, kanë qenë disa akuza të pavërteta, të disa të rijve çiliminjë që kanë intërpretue disa fjalë të mija.

- Mbi akuzat tjera që më përmendën, unë i mohoj, e kam deklarue edhe para gjyqit që më asht ba, se me të dënuemit Is-han Podgorica, se mardhanjet e mija shoqnore nuk kanë kalue cakun e marrdhanjëve profesionale, për shkëmbim mendimesh për çështje letërsie, dhe kurr ndonjëherë nuk kemi bisedue, ose shtrue çështje për vëprimtari kundër Pushtetit. Me Hysen Çelën nuk kam as njohje, vetëm e njoh kështu si ftyrë, kështu që vetvetiu edhe akuza që më bahët në lidhje me te, asht e pavend. Po kështu, nuk njoh aspak as edhe si ftyrë Skënder Çelën. – Akuzat që po me bahën tash unë i kam marrë vesht me anën e fletorës “Bashkimi”, dhe nga zhvillimi i gjyqit të Tiranës, ku i dënuemi Beqir Çela, ka pohue, se unë paskam qenë i ndërlikuem me I. Podgoricën, dhe ky direkt me Beqir Çelën ishin në këtë organizatë që u zbulue. Këto pohime të Beqir Çelës i mohoj plotësisht, mbasi as kam pasë dijeni, as pjesë, në organizata që ekzistonin këtu në Durrës. – Unë mohoj gjithashtu pohimët që kanë ba para hetuësisë dhe para Gjyqit të Tiranës, të dënuemit anëtarë të Komitetit të Qarkut të Durrësit, Selim Kokalari, Sulo Konjari dhe R. Tabaku, për që unë të kemi qenë antar i kësaj organizate me pjesmarrje në grupin Social-Demokrat. – Unë mohoj, se këta i kanë ba këta pohime, tue dijtë se unë kam qenë një përson që nuk e simpatizoj Pushtetin Popullor, sikurse e kam pohue edhe ma parë në gjyqin e maparshëm. Kështu më kanë kallur këtë akuzë, siç kundër u a kanë kallur edhe të tjerve. – Me të burgosunin H. Ballhysi nuk kam patur asnjë mardhanje për aktivitet kundërshtar, kështu që edhe emni i tij që përmendët si pjestar i grupit social-demokrat, për mue asht i pavend. – Unë duke mohue edhe njëherë akuzat e sipërme, ju shtoj përfundimisht, se veprimtaria e eme kundër Pushtetit determinohet mbi sa kam thanë në gjykimin e parë. Ma vonë shtoj, se detërminohet e shpreha me qëllim me thanë: kufizohet. – Unë sikurse thashë, jo vetëm, që nuk kam pasë mardhanje e marrë pjesë në këto grupe që u zbuluen, porse edhe absolutisht nuk kam pasë dijeni që të kenë ekzistue një organizatë e tillë kundërshtare. Mbasi nuk kam gjë tjetër për të shtuar, sëpse i pandehuri i përgjigjet me m o h i m, ju dha fund pyetjes së tij, të cilat si ju kënduan, i vërtetoi me nënshkrimin e tij.”

I pandehuri ( Arshi Pipa) d.v. Prokurori Publik i Prefekturës(SotirQiriaqi)d.v.

Proçes-verbal i Seksionit të Sigurimit Durrës Nr. Regj.66

Simbas shkresës përcjellëse nr.3053 dt. 02. 12. 1947, i dënuari ARSHI PIPA, me fakultet Filozofije në Firencë, nga Libohova, lindur në Shkodër në vitin 1920, ti vazhdohën pyetjet.

Prokurori Publik i Prefekturës: S. Qiriaqi d.v.

 

Mbasi nuk mbetet gjë për të shtuar, sepse i pandehuri përgjigjet me m o h i m…Dërgohet për gjykim në Tiranë, si dhunues i dispozitave të sipermë… Prokurori…firma.

 

Fletë-akuzë: I pandehuri Arshi Pipa ka qenë armik i popullit… Për të gjitha këto që përmenda më sipër, neve propozojmë që i pandehuri Arshi Pipa të gjykohet edhe njëherë nga ajo Gjykatë Ushtarake, mbasi dënimi i parë i është dhënë i pakët, sëpse mungonin edhe faktët. Me qenë se veprimtaria e të pandehurit ka qenë e vazhdueshme kundër Pushtetit Popullor, dhe se parimet e tija kundërshtare nuk pajtohën kurrë me vijën e Pushtetit Popullor, propozoj, që të marrin dënimin më të rëndë. Veprimtaria armiqsore e të pandehurit Arshi Pipa faktohet edhe më tepër në proçeset e armiqve të popullit, si më poshtë vijon:

Selim Kokolari thotë: Arshi Pipa ka bërë pjesë në grupin Social-Demokrat, bashkë me H. Ballhysin, I. Podgoricën, H. Çelën etj.

- Sulo Konjari thotë: Arshi Pipa ka bërë pjesë në grupin Social-Demokrat dhe ka qenë elementi më aktiv i këtij grupi, bashkë me H. Çelën, I. Podgoricën, Skënder Çelën e H. Ballhysin.

- R. Tabaku thotë: Arshi Pipa ka propaganduar vazhdimisht kundër Pushtetit në fuqi dhe për ndrrimin e situatës me ndërhyrje nga jashtë.

Prokurori shton: Ka punuar kundër Pushtetit në mënyrë sistematike me elemente të pakënaqur nga reformat… Duhët ridënuar. Prokurori ….firma.

Pyetet PROF. PRENKË KAÇINARI, i cili deklaron:

“Kam kenë profesor në Shkodër………..…………………………………………………”

Me datën 24 dhetor 1947 Kryetari i Gjykatës Ushtarake Durrës, major Gjon Banushi, jep vendimin nr. 704 themel. Si mbas zhvillimit të gjyqit nga dt. 18 dhetor 1947: “… Në emër të Popullit Shqiptar”: “… Arshi Pipa, Prenkë Kaçinari, Hysen Ballhysa, Pashko Gjeçi kanë qenë antarë të organizatës së gjerë agjento-sabotatore, dhe antarë të grupit social-demokrat, për të rrëzuar me dhunë Pushtetin Popullor duke pritur një zbarkim nga jashtë. I pandehuri Arshi Pipa, gjatë kohës së fashizmit ka drejtuar revista me ideologji fashiste për të mashtruar popullin dhe për të maskuar okupacionin e fashizmit në vendin tonë. Mbas çlirimit të Shqipërisë, duke qenë profesor në liceun e Tiranës, lidhet me grupin e social-demokratës dhe zhvillon një aktivitet të gjerë në favor të kësaj organizatë. I pandehuri, vazhdon aktivitetin e tij ndër studenta dhe ndër elementa të pakënaqur, duke predikuar mbi demokracinë perëndimore dhe me tjera pallavra, të gjitha këto i bënte me qëllim për të treguar se në vendin tonë nuk kishte liri demokratike dhe, e konsideronte Pushtetin si një Pushtet terrorist. Aktiviteti i të pandehurit u provua plotsisht nga atribuimet që i bëri Sulo Konjari në gjyqin e Tiranës, Selim Kokalari dhe Ramazan Tabaku, nga proçes-verbali i tij para hetuesisë dhe nga gjithë përmbajtja e dosjes. I pandehuri ka bërë mbledhje të rregullta me Prenkë Kaçinarin, Stavro Frashërin, Is-han Podgoricën, Simon Dedën, Hysen Ballhysin, Sabri Ticin e Rifat Dërvishin, dhe këto mbledhje janë bërë në liceun e qytetit. Prandaj: … Për të gjitha këto, bashkërisht dhe pjesërisht në kundërshtim me prokurorin, në bazë të ligjes së sipërme vëndosi:

1. Prenkë Kaçinari, me privim lirije për jetë, konfiskim të pasurisë së tij të luajtëshme dhe të paluajtëshme.

2. Arshi Pipa, me 20 vjet privim lirije.

3. Hysen Ballhysa, me 15 vjet privim lirije.

4. Pashko Gjeçi, me qenë se u tregua shumë i sinqertë para Gjyqit dhe deponoi vullnetarisht jo vetëm fajsinë e tij, por edhe të shokve të tij pjestarë të po një organizate, i akordohën shkaqe lehtësore në konformitet me nenin 45, të ligjes 382, dt.12 dhjetor 1946, dhe vendosë: dënimin e tij me 5 vjet privim lirije, dhe konfiskimin e pasurisë.

Të katër të pandehurit humbin të drejtat civile dhe politike për tre vjet, dhe vuajtja e ndëshkimit fillon nga data e arrestimit.

Durrës 24 dhjetor 1947.

Sekretari d.v. Antar d.v. Antar d.v. Kryetari d.v. (vetëm firmat)

Në dosjen nr. 1167 ruhët kjo kërkesë e bame nga Prof. Arshi Pipa, të cilën po e botoj pa asnjë ndryshim nga origjinali, mbasi m’u dha mundësia e kopjimit:

“V.F.L.P.

Me anën e Drejtorisë Burgut A.P. Durrsit Gjykatës së Naltë Ushtarake Tiranë: I nënshkruemi Arshi Pipa kam nderin T’i paraqes asaj së Nalte Gjykatë, kërkesën time apelimore, si vijon: I arrestuem që më 27 prill 1946, jam dënue prej Gjykatës së Garnizonit Tiranë me 2 (dy) vjet privim lirije, për veprimtari kundër Pushtetit. Më 20 dhetuer 1947 jam dënue rishtas nga Gjykata me 20 (njizet) vjetë privim lirije, i akuzuem në grupun social-demokrat në lidhje me organizatën e deputetve. Përsa i përket kësaj akuze, marr lejën të baj vetëm nji vrejtje: Përsonat që më akuzojnë, disa i njof vetëm për fëtyrë, e disa nuk i njof fare. Prej akteve që e Nalta Gjykatë do të marrë në shqyrtim, kam shpresë, do të dalë qartë se unë nuk jam nji njeri i politikës por nji njeri i librave, i studimëve; nuk kam marrë pjesë në jetën politike para Çlirimit, nuk kam qenë as me Ballin as me Legalitetin. Me ndjenja kam qenë kundërshtar i fashizmit, gja kjo që provohet ndërmjet tjerash, nga nji dokument që ndodhet n’aktet e mija të gjykimit të parë. Rrjedhi nga nji shtresë e mesme qytetare. Nuk jam i prekun nga Reformat, mbasi as unë as prindët e mij nuk kanë të paktën asnji shtëpi banimi tonën. Përveç të masipërmeve lutem të merren parasyshë edhe këto dy gjana: a. Gjendja ime familjare: tue qenë unë i vetmi mashkull përveç babës që asht tetëdhetë vjeçar e paralitik – në familjen time të përbame nga nana, katër motra – prej të cilave njena e sëmurë tuberkuloze – dhe dy jetime. b. Gjendja ime shndetsore: tue qenë unë që prej shumë kohe me nji infiltracion të mushkërive. Tue shpresue se apelimi im do të gjejë konsideratë pranë asaj së Nalte Gjykate, kërkoj lehtësimin e dënimit dhe shpreh bindjen time në verdiktin e saj të drejtë. Durrës 27 dhetuer 1947 Arshi Pipa d.v. I burgosun në Burgun A.P. të Durrësit” V.O. Burgu A.P. (Armiqve të Popullit), shën.autori.

Seksioni i Mbrendshëm i Durrsit përcjell dosjen në Gjykatën e Naltë tue shtue këtë dokument: “Komunikatë: Me datën 24 shkurt 1948 Prokuroria vë ré se: Nga shqyrtimi i aktëve të të pandehurve Arshi Pipa, Pashko Gjeçi, Prenkë Kaçinari dhe Hysen Ballhysa, rezulton se kanë qenë antarë të organizatës agjento-sabotatore duke bërë pjesë në grupin e quajtur social-demokrat, që kryesohej nga Gjergj Kokoshi e Suat Asllani. Organizata është shtrirë në elementët e pakënaqur nga Pushteti e Reformat. Kanë organizuar grupe në shkolla si profesorë dhe kanë bërë mbledhje të rregullta. Kanë marrë vëndime për zgjerimin e organizatës dhe kanë propaganduar kundër të gjithë Reformave të Pushtetit. Kanë sabotuar në sektorët e tyre, kanë agjituar për të prëgatitur terrenin për ndërhyrjen e Anglo-Amerikanve. Qëllimi i të pandehurve ka qenë rrëzimi i Pushtetit me forcë dhe me anë të një kryengritje në lidhje me forcat e huaja. Vepra e tyre është tradheti ndaj Pushtetit Popullor dhe Atdheut. Për këto arësye dhe për ato që do të shtroj, kërkoj modifikimin e dënimit Prenkë Kaçinarit, ndërsa Arshi Pipa, Pashko Gjeçi, dhe Hysen Ballhysa të lehën si ishin. 24 shkurt 1948.

Prokurori Ushtarak i U.K. Shqiptare Kapiten I. Nevzat Haznedari d.v.

 Gjykata e Naltë Tiranë me nr. 96 të vëndimit, nr. Regj. 61, e mbledhur me datën 29 shkurt 1948, me kryetar major Niko Çeta, antarë, kap. I Veladin Zejneli dhe kap. I Nexhat Hysejni, prokuror kap. I Nevzat Haznedari dhe kryesekretar, Thoma Rino, mbasi shqyrtoi dokumentacionin e të pandehurve, vëndosi:

1. PRENKË VLASH KAÇINARI, me 20 vjet privim lirije.

2. ARSHI MUSTAFA PIPA, me 20 vjet privim lirije.

3. HYSEN NAMIK BALLHYSA, me 15 vjet privim lirije.

4. PASHKO VASË GJEÇI, me 5 vjet privim lirije.

Kryesekretari d.v. Antar d.v. Antar d. v. Kryetari d.v. (vetëm firmat). “

Këtu mbyllet vetëm dosja…Jeta me të vërtetë vazhdoi… por, askush nuk mund të parashikonte si u erdhi fundi këtyne njerëzve, ndoshta, edhe ata vetë në vitin 1947-48, fundin e kanë mendue në Beden, Maliq, Burrel, ose Tepelenë, por, kurrë se mund të jenë një ditë… në Romë,…Washington… ose, ma mirë me thanë se mund të jenë ndonjëherë të lirë. Fjala liri kishte përëndue bashkë me andrrat e shpresat e tyne. Prof. Arshi Pipa pat fatin me e shijue prap lirinë, ndërsa Prof. Prenkë Kaçinari, provoi, se, ka rasë që jeta tregohët e ashpër dhe mizore e, ndonjëherë, jo e meritueme kjo për atë që e provoi… Lexoni me kujdes këta pak rreshta, pa koment:

I dashtuni Mark, (Të dashtunit e mi)

Edhe pak çaste më mbetën, kur unë përfundimisht po shkëputem nga kjo jetë. Me përmallim të madh po ju la të gjithve: kunatën, motra, nipa e mbesa që kaq fort ju kam dashtë. Vëndosa me e krye këtë akt dobësije do ta quani, por për mue kje akt kurajoz. Vuajta tepër e tash ma s’po mund të duroj. Po i nap fund të gjitha vuajtjeve të mija. Kjeshë te ju; nuk dhashë me kuptue gja; nuk dojshe me tradhtue veten, kisha frigë të mos më mbusheshin sytë me lotë. Nuk e pashë edhe motrën time të dashur, Luljen, që ishte e shtrueme në spital. Se çfarë çastesh të fundit po jetoj, nuk mund t’i përshkruej. Po e shkruej këtë letër me lot ndër sy. Erdha këtu në Tiranë vetëm e vetëm për mos me ju qitë telashe ju. Në vendin ku do të vras vetën dëshroj të varrosëm. Një dëshirë tjetër e, që due ta plotësoni asht: të mos mbani askush shej zije për mue; zinë e mbani në zemër. E tash lamtumirë përgjithmonë. E di se do të kishit dëshirue t’ju shkruajshe ma gjatë. S’po më punojnë ma as mendja, as dora. Përqafime e të puthuna të përmallshme; më kujtoni në bisedat tuaja, jam i juaji

Prenkë Kaçinari, Tiranë, 3.IX.1956 ora 5 mbasdreke.

Shenim: Kjo letër u postue nga Tirana nga vetë Prenka, për Z. Mark Lezhja në Durrës, që ishte burri i motrës së Prenkës, Karrolinës dhe, origjinali ruhët në familjen e tij. (shënimi i Fric Radovanit).

Paul Tedeschini

About these ads

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Log Out / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Log Out / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Log Out / Ndryshoje )

Google+ photo

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Log Out / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Create a free website or blog at WordPress.com.
Tema Esquire.

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

Bashkojuni 897 ndjekësve të tjerë

%d bloggers like this: