Xhevat Kortsha shembull i qëndrimit moral për intelektualët shqiptarë

Figurë

Ardian Ndreca

Xhevat Kortsha bën pjesë ndër ato figura që kanë përshkue qiellin e Shqipnisë gjatë shekullit të kaluem si meteorite, pa mujtë me ndriçue me aq dritë sa kishin, por gjithsesi tue e shpenzue vetveten deri në fund për me dishmue me veprimtari dhe me vet ekzistencën e tyne detyrat e njeriut në jetë. Xhevat Kortsha ishte njeri i veprimit dhe i mendimit, patriot që dijti me mbrojtë me pushkë vendin e tij, dhe intelektual që kuptoi deri në fund se e ardhmja e Shqipnisë mvarej ma së shumti prej kulturës dhe arsimit.

Ai ishte lindë me datë 10 janar 1893 në Korçë, ku ndoqi edhe mësimet e ulta për me vijue mandej studimet në gjimnazin emënmirë «Zosimea» të Janinës, ku u formue nji vistër e gjatë atdhetarësh shqiptarë.

 

Atmosfera thellësisht patriotike e zonës së Korçës dhe shpirti i ndezun i banorëve të atyne anëve, shtynë Xhevatin e ri me marrë pjesë në çetat liridashëse të Themistokli Gërmenjit dhe Spiro Bellkamenit. Aktiviteti i këtyne çetave përfshinte veprime luftarake kundër pushtuesve turqë, por edhe kundër çetave andarte të fqinjëve tanë, që herë mbas here kanë krye krime çnjerzore ndaj vendasve të atyne trevave. Pjesmarrja në këto çeta do t’i kushtonte Xhevatit dënimin me vdekje, si prej turqëve ashtu edhe prej grekëve. Për trimninë dhe burrninë që tregoi Xh. Kortsha me shokët e vet në këto çeta, kanë shkrue edhe Abedin Shkëmbi dhe Kristo Floqi në shkrime përkujtimore të atyne luftnave.

 

Më vonë, mbas shpalljes së Pamvarsisë në sajë të interesimit të vetë Themistokli Gërmenjit, të mbështetun dashamirësisht edhe prej Bajram Currit, Qeveria e atëherëshme shqiptare dërgoi Xhevatin së bashku me disa djemë të tjerë me studime në Vjenë, në fakultetin e shkencave historike.

 

Xhevatin, i cili kishte ardhë prej qytetit të Korçës, filluen me e thirrë Xhevati nga Korça, e kështu në vazhdim i mbeti mbiemni Korça qysh prej viteve të gjimnazit. Por mâ vonë për të mos u dukë si titull i akorduem për shërbime ndaj Portës s’Naltë siç mbajshin elementa që shifeshin me simpati prej saj edhe zakonisht mbanin emna qytetesh dhe fshatnash, ai e shkruente mbiemnin me grafi të ndryshme prej qytetit të lindjes. Kjo gja sigurisht i lejonte të huejt, në vendin ku ai studjonte, me ja shqiptue fonetikisht drejt mbiemnin. Tue u nisë prej të njejtit arsyetim ndërruen krejt mbiemnin apo grafinë e tij edhe personalitete të tjera të po asaj periudhe, si Dhimitër Beratti, Mustafa Merlika, Ali Klissura etj.  Kurse emnin Xhevati e shkruete Djevat, (shif shkrimet e Faik Konicës ku “xh” e shkruete me “dj”), simas alfabetit Kongresit Manastirit.

 

Në vitet e formimit të djaloshit korçar, i cili tue u plazmue prej eksponentave mâ në za të shkollës historike austro-hungareze, ai do të fitonte shprehitë shkencore dhe do të mbledhte materiale dhe burime për me hedhë dritë mâ vonë mbi figurën e heroit tonë kombtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

 

Vetë rezultati përfundimtar i studimeve me vlerësimin «summa cum laude» tregon shkallën dhe seriozitetin e naltë me të cilin djaloshi shqiptar kishte krye kursin e studimeve universitare.

 

Duhet përmendë mes tjerash aktiviteti patriotik i Xh. Kortshës edhe si student. Me 15 dhetor 1918 ai së bashku me studentët shqiptarë Jani Basho, Remzi Baçi, Nush Bushati, Raqi Buda, Fuad Asllani, Gjovalin Gjadri, Luigj Kakarriqi i paraqitën presidentit amerikan Wilson nji lutje ku ndër të tjera shkruhej:

 

«Sot, kur fati i botës varet kaq shumë prej Jush, kur çdo e vetme minutë e z. Suaj do të jetë e zënë me çështjet e të ardhmes, natyrisht do të duket guxim i pafalshëm që një grusht studentësh të një kombi jo shumë të dëgjuar të ju luten për një të katërtën e orës Tuaj shumë të çmuar… Duket se jemi krejt të harruar, sikur i përkasim historisë së vjetër. Pak mund të jemi, por megjithatë kemi vendosur dhe kemi bërë be të bëjmë në çfarëdo lloj kushti çfarë të na vijë për dore për vendin tonë të dashur. Ai është gjithë çfarë kemi, i tëri që duam të kemi dhe që e lëmë jetën tonë me gëzim. Si më i madhi idealist i shekullit do të jetë shumë e lehtë për Ju, fort i ndershmi Zotëri, të çmoni drejtësisht qëllimin e ambicionit tonë, ai është ideali ynë…» – dhe tue vijue: «. . . duke qenë se historia e jonë na la në mesjetë, në Errësirë të plotë, politikanët serbë e grekë gjetën rastin të mohojnë të drejtën tonë për një jetë politike. Këta shkuan kaq larg sa të mos shohin qënien gjeografike dhe etnografike tonën, ata besuan se Europa Perëndimore dhe Amerika duhej të lexonin punët e ngatërruara të Ballkanit vetëm mbas shkrimeve të tyre edhe të shohin vetëm me sytë serbë e grekë… Por fatmirësisht politikanë të mëdhenj që kanë ardhur në kontakt me Shqipërinë janë bërë mbrojtësit më të fuqishëm të çështjes tonë, sepse kanë parë të vërtetën dhe padrejtësinë që bëhet kundra nesh. Midis tyre në radhën e parë është z. Gjergj Fred Uilliams, ish-ministër i SHBA në Athinë, i cili dha dorëheqjen më 1913 për të protestuar kundër përdorimit të keq të Shqipërisë prej Fuqive të Mëdha të Europës… Zoti President! Në qoftë se në vendimin e paqes një komb lihet i pambrojtur dhe përdoret kaq mizorisht, a mundet vallë në atë anë të botës të sigurohet paqja? Shqipëria, sikundër Konferenca e Londrës ja përcaktoi kufijtë, kurrë s’mundej të jetonte, ajo kishte farën e vdekjes në gjak qysh në lindjen e saj…».

 

Letra mbyllej me fjalët:

 

«Zotëri, ju lutemi në emër të djelmërisë shqiptare e të kombit shqiptar të merrni këtë komb fatkeq nën mbrojtjen Tuaj».

 

Jemi në vitin 1922 kur Qeveria shqiptare e destinon në Shkodër me detyrën me themelue gjimnazin shtetnor të këtij qyteti.

 

Nuk ishte nji detyrë aspak e lehtë mbasi në Shkodër ekzistonte nji traditë e konsolidueme arsimore e drejtueme prej françeskanëve dhe jezuitëve, e ata të parët mbanin liceun «Illyricum», i cili do të vijonte me sukses detyrën e vet deri me ardhjen e komunistave në pushtet.

 

Megjithatë Xhevat Kortsha ia arriti me gjetë personelin mësimdhanës dhe me i dhanë nji ton të veçantë gjimnazit shtetnor, që kishte diçka të përbashkët me shkollat austriake, në daç për kah formimi i profesorave n’daç për kah programi i ndjekun. Ndër profesorat e parë përmendim: Anton Palucën, Kostaq Cipon, Kolë Margjinin, Gabriel Meksin, Gjergj Kokoshin, Simon Rrotën etj. Entuaziazmi dhe përkushtimi në punë i themeluesit nuk ju nda kësaj vatre të kulturës shqiptare edhe mâ vonë, deri në kohën e transformimeve të mëdha të vitit 1944. Ndër punimet shkencore të Xhevat Kortshës duhet përmendë studimi i tij me titull «Tri pyetje nga jeta e Skënderbeut», shtypun në vitin 1923 në shtypshkronjën Nikaj në Tiranë.

 

Tri pyetjet e Xh. Kortshës ishin këto:

 

1- “A u ka paguar Skender Beu Sulltanėve tė Turqisë tribut tė pėrvjetshëm” ?

 

 2- “A u ka proponuar Skender Beu Venecianëve më 1450 që t’u lëshojë Krujën ?”

 

3- “A e kanë trathtuar Krerët Shqiptarë Skender Beun më 1457 dhe a ka qenë ky i shtrënguar të fshihet në për malet për të shpëtuar jetën e vet ?”

 

Për me u dhanë përgjegje këtyne pyetjeve shumë të koklavituna ai kishte studiue burime biografike dhe arkivore që i përkisnin heroit tonë kombtar – dhe megjithëse problemi në fjalë mbeste ende i hapun në ekonominë e studimeve skënderbegiane, citimi i kësaj vepre prej Nolit te «Historia e Skënderbeut» tregon se ndaj këtij studimi qarqet e historianëve dhe letrarëve tregonin mjaft konsideratë. Po të shikohet vepra e botueme “Tri pyetje nga jeta e Skender Beut, në secilën faqe mesatarisht nji e katërta e faqes janë referenca bibliografike që vërtetojnë thellësinë e hulumtimeve të bame prej autorit.

 

Viti 1924 solli me vehte shpresat e ndryshimit të kursit të jetës shoqnore dhe politike të vendit tonë dhe po ai vit shenjoi zhgënjimin e atyne shpresave. Xhevati si përkrahës i Qeverisë së Fan Nolit u detyrue me ikë në mërgim me gjithë familjen në Jugosllavi.

 

Edhe koha e mërgimit në kryeqytetin jugosllav pati frytet e veta pozitive, mbasi ai u inkuadrue prej prof. Henrik Bariqit si lektor i gjuhës shqipe në kursin-seminar që albanologu i shquem sllav mbante asokohe.

 

Këshilli i Fakultetit të Filozofisë pranë Universitetit të Beogradit, me nismën e Prof. Bariqit, kishte aprovue me datën 31 maj 1925 krijimin e «Seminarit për filologjinë shqipe». Kështu në vitin 1925 Xhevat Kortsha u caktue prej Bariqit si lektor me honorar për gjuhën dhe letërsinë shqipe, ndërsa gjatë vitit akademik 1927-28 ai mbajti kursin “Gjuha shqipe për fillestarë”.

 

Fryt i këtij bashkëpunimi janë edhe dy reçensionet që Xh. Kortsha botoi tek revista e Bariqit: «Arhiv za arbansku starinu, jezik i etnologiju» në vitin 1926  (lib. III, n. 1-2), njeni i botuem serbisht i përket «Historisë së Skënderbeut» që Fan Noli kishte botue në Boston në vitin 1921. Ndërsa tjetri i shkruem gjermanisht analizon në mënyrë kritike përkthimin gjermanisht që Gustav Weigand-i i kishte ba në vitin 1925 në faqet e «Balkan-Arkiv»-it të tij disa pjesëve të «Lahutës së Malcisë».

 

Mbas tre vjetësh qëndrimi në Beograd, Xhevati së bashku me familje u detyrue me shkue në Austri sepse Zogu dy herë çoi njerëz në Beograd me i ba atentat e gjithashtu Zogu porsa kish nenshkrue edhe nji merrveshje simbas së cilës Jugosllavia kish me i a dorzue refugjatët politikë Zogut.

 

Në Austri ku vijoi të jetonte si emigrant politik u dha i tani mbas përkthimit të dokumenteve që ndodheshin në Arkivën e Shtetit austriak të cilat hidhnin dritë mbi historinë tonë kombtare.

 

Mbas atentatit, që Azis Çami dhe Ndok Gjeloshi i banë Zogut në Vjenë, Xhevat Kortsha si shumë emigranta të tjerë u përzue prej Vjenës dhe shkoi me banim në Graz. Tregojnë sesi në atë kohë Xhevat Korça me miqtë e tij ishin shumë aktivë që gjygji ndaj atentatorve të Zogut të bahej në nji qytet industrial ku jurija nuk kish se si me qenë pro monarkike, gja që në Vjenë ishte e sigurtë. Këte e mbështeste nji avokat austriak i cili ishte shtye aq shumë sa që kishte botue në nji gazetë nji artikull të mbushun me shpifje kundër kombit shqiptar, tue pru “fakte” të marruna andej-këndej prej shtypit e tue e akuzue vetë Xhevat Korçën personalisht si “agjent provokues”. Tue lexue atë shkrim fyes ndaj kombit të vet si edhe ndaj atij vetë, Xhevati vendosë me i çue menjiherë nji ftesë për duel avokatit mendjelehtë. Dhe ndërsa shkruente ftesën, miqtë e tij Qazim Koculi dhe Riza Dani i thonin që së paku të zgjidhte ai armën e duelit, meqë ishte qitës i shkëlqyem, ndërsa e shoqja qante tue i thanë se kujt po ja lente atë dhe dy fëmijët e vegjël në mes të Europës.

 

Shokëve – Xhevati u përgjegjej:

 

– Do të qe turp për mua të përfitoja nga dobësia e tjetrit dhe ta mposhtja kundërshtarin për faktin se jam shenjues i mirë. Po e pranoi ai pistoletën, fati im!

 

– E po zgjodhi ai shpatën?, – ia pritën shokët.

 

– Nuk ka asnjë problem, un kam të drejtën të kërkoj tri javë shtyrje dueli. Ndërkohë do të marr mësime shpate.

 

Ndërsa së shoqes që ishte trishtuar i përgjegjej:

 

– A nuk e kupton se nuk ka asnjë vlerë jeta jonë po lam që të na e nëpërkëmbin Shqipërinë?

 

Por fati deshti që avokati me ta marrë ftesën pranoi ma mirë me kërkue falje publikisht po te e njejta gazetë ku kishte botue ma përpara shkrimin ofendues dhe tendencioz, edhe ma e randësishmja asht se vetë avokati, kur e kuptoi se pse Xhevat Korça insistote që gjyqi të bahej në nji qytet industrial e mbështeti at kërkesë dhe gjyqi nuk u zhvillue në Vjenë !

 

Për shkak të jetesës shumë të shtrenjtueme gjatë krizës së viteve ’30, Xhevati detyrohet me lanë Austrinë dhe me kalue në Itali, ku vendoset në Fiume.

 

Në këtë kohë Zogu ashtë përpjekë me afrue anmiqtë e tij të dikurshëm, tue u ofrue atyne amnisti dhe poste me randsi, por Xhevati ndejti konsekuent deri në fund e nuk pranoi kurrë me i ra ndesh parimeve të tija liberale dhe demokratike.

 

Megjithatë kur radioja italiane me 7 prill 1939 jepte komunikatat e pushtimit fashist të vendit, ai qante pranë radios dhe përzente gazetarët italianë që shkonin me e intervistue si emigrant politik antizogist, tue u thanë:

 

– Ju lutem na lini në hallin tonë dhe largohuni nga shtëpia.

 

N’ato ditë ai kishte kapërcye urën që ndante Fiumen italiane me qytetin jugosllav Sushak për me i telegrafue prej atje mbretit Zog – mbasi në Itali çensura mund ta bllokonte lehtësisht komunikimin telegrafik. Objekti i komunikimit ishte kërkesa që ai i bante kundërshtarit të vjetër politik me i hapë kufijtë për me lejue patriotët e ikun me mbrojtë atdheun.  Të dy këta momente i ka prue para Gjygjit Special si dëshmitare mbrojtëse zonja Lejla Bumçi, e shoqja e kapitenit t’marinës zotit Rudolf Bumçit, sepse të dy ata si çift ishin të pranishëm në apartamentin e Xhevat Korçës kur erdhën gazetarët fashistë edhe i a banë propozimin.

 

Pra, për Xhevat Kortshën në kushtet e jashtëzakonshme për fatet e kombit, kontradiktat e mbrendshme dhe lufta politike i lënte vendin aleancës dhe bashkëpunimit për të mirën e atdheut, qoftë edhe me anmikun e betuem politik A. Zogun !

 

Kthimi i tij në Shqipni u ba pesë muej mbas pushtimit fashist, mbasi Xhevati si edhe shumë shokë të tij nuk donin me u kthye në atdhe së bashku me trupat italiane. Në vitin 1940 do të pranojë emnimin si antar i Këshillit të Shtetit së bashku me Riza Danin, Sejfi Vllamasin, Omer Nishanin, Fuad Asllanin, Dhimitër Berattin etj. – post ky që me të qeshun konsiderohej prej misëve tanë si nji vend pensionistash, mbasi efektivisht ata ishin këshilltarë sa për me dhanë mendime rreth problemesh karakteri tekniko – juridik lidhun me ndonji gja që i përkiste ndryshimeve në legjislacionin e vendit. Në nji mbramje që kishte organizue Mëkambësia me intelektualët shqiptarë, merrte pjesë edhe Xh. Kortsha, e ndërsa të ftuemit rrinin grupe-grupe tue bisedue, grupit ku po rrinte Xhevati i avitet Lorusso Attoma, (ndihmësi i Mëkambësit të Mbretit), i cili i drejtohet Xhevatit tue i thanë: – Profesor, nga ju ne presim tashti, si kundërshtar i regjimit të Mbretit Zog që keni qenë, të na shkruani për fashizmin dhe për të mirat që ai po i sjell Shqipërisë.

 

 Merret vesht se menjiherë situata u ba e ndeme dhe askush nuk pipëtinte tue ja dijtë mendjen Xhevatit dhe faktin se ai e thonte haptas atë çka mendonte. E në fakt ai ju spërgjegj Attomas tue i thanë premas:

 

– Zoti Attoma, duhet ta dini se që me 7 prill të vitit 1939 penës s’ime i është thyer maja!Intelektualët e tjerë të pranishëm heshtën, ndërsa aty rrotull ishte edhe Omer Nishani, i cili mbas disa ditësh botoi nji artikull te gazeta «Tomori» që mbyllej me fjalët: «Rroftë Mbreti ynë Perandor Viktor Emanueli III! Rroftë Duçja ynë i Madh»  (“Tomori”, 12 prill 1940, faqe 3).

 

Por ironia mâ e madhe ashtë se mbas të ashtuquejtunit «çlirim» të Shqipnisë, Omer Nishani u ba president i vendit ndërsa Xhevat Kortsha u dënue si tradhtar i atdheut!

 

Me emnimin e mikut të tij Mustafa Kruja si kryeministër i vendit në vitin 1942, Xhevat Kortsha pranon me ba pjesë në kabinetin ministerial, tue marrë mbi vete barrën e Ministrisë së arsimit, por me dy kushte :

 

Gjuha italishte të hiqej si gjuhë e detyrueme prej shkollave fillore të Shqipnisë edhe të Kosovës.

 

Të liroheshin prej kampit t’internimit në Ventotene të Italisë të gjithë arsimtarët e internuem shqiptarë.

 

Përgjatë kësaj vazhde duhet përmendë kontributi i tij tejet pozitiv në lamitë e arsimit kombtar, që nisi me vizitën e tij në qendrën e internimit të Ventotenes, ku ai shkoi me u tokue me t’internuemit edhe u bani me dijtë se ata së shpejti kishin me u lirue e ku tokoi A. Ermenjin, Z. Palin, V. Andonin, S. Butkën dhe shumë antifashista të tjerë, të cilët do t’i dërgote në vazhdim si mësuesa në Kosovën që tashma i ishte bashkue tokës nanë. Që italianët nuk kishin për Xh. Kortshën nji ide shumë të mirë e tregon edhe fakti se në kohën që ai ishte ministër gjenerali Dalmazzo kishte lëshue nji qarkore tepër sekrete, me të cilën u kërkohej organeve kompetente me e gjurmue në çdo lëvizje si person me tendenca komuniste, (dokument i cilli gjindet në Arkivin e Shtetit). Edhe simi dyshonte që Kortsha ishte nji element nacionalist dhe me që kishte qenë antar i konares, mendohej se kishte primje komuniste. Në të vërtetë Xh. Kortsha ishte thjesht nji patriot shqiptar me tendenca politike anti-italiane, por gjithsesi nuk kishte asgja të përbashkët me idetë komuniste.

 

Nga njena anë janë të njohuna e të dokumentueme qarkoret e tija dhe udhëzimet se si me ja pre rrugën penetrimit të ideve komuniste në shkollat shqiptare, nga ana tjetër ai nuk hezitonte me transferue ndonji drejtor shkolle tepër zelltar që mbushte korridoret me parulla fashiste. Njiherë atij ju drejtue patrioti Beso Gega për ta ndihmue me lirue prej burgut të bijën, Lirinë, tue i thanë se ajo s’ishte komuniste por thjesht anti-italiane. Atëherë Xhevati ju drejtue Kapidan Mark Gjomarkajt, ministrit të Mbrendshëm për ta nxjerrë prej burgut, por ky ju përgjegj se ishte mâ mirë që ajo vajzë të rrinte për disa kohë në burg sesa të dilte maleve partizane, siç ndodhi sapo ajo u lirue. Kur mbas marrjes së pushtetit Beso Gega i burgosun prej komunistave ishte transferue në burgun e Tiranës dhe e bija i binte mohit haptazi, Besoja i dëshpëruem i thontë nji ditë Xhevatit, bashkëvuejtës në të njejtin burg:- Ti mirë e ke që je në burg. Ti jo vetëm tradhtove detyrën tënde kur ma lirove vajzën nga burgu, po duhej të më kishe arrestuar në vënd edhe mua kur ndërhyra për te. Xhevati s’po kuptonte asgja, kur të burgosunit e tjerë i treguen se e bija i kishte ra mohit të jatit për hatër të idealeve të partisë së saj e kte ia kishte thanë t’et te hekrat e burgut në takim.

 

Nji tjetër prej ndërmarrjeve kulturore me randsi të asaj periudhe, në të cilën mori pjesë edhe Xhevat Kortsha, ishte edhe themelimi i Institutit të Studimeve Shqiptare, i cili nën drejtimin e Ernest Koliqit mblidhte figura si Mustafa Kruja, Anton Paluca, Aleksandër Xhuvani, Lazër Shantoja, Karl Gurakuqi, Anton Harapi, Dhimitër Beratti etj. Qëllimi i këtij Instituti ishte krijimi i nji bërthame akademike për t’i shërbye shkencës së albanologjisë dhe mâ vonë edhe themelimit të nji universiteti shqiptar.

 

Vrasja e Qazim Koculit në Vlonë shtynë M. Krujën dhe Xh. Kortshën me dhanë dorëheqjen në shenj proteste për faktin se mendohej që italianët kishin gisht në atë vrasje, mbasi Koculi kishte organizue me të tjerë hedhjen e trupave italiane në det në vitin 1920, luftë përgjatë së cilës Q. Koculi kishte qenë komandant i saj ushtarak.

 

Me daljen nga qeveria e M. Krujës merr fund edhe aventura politike e Xhevat Kortshës, të cilin marrja e pushtetit prej komunistave do ta gjejë në shtëpinë e tij në Tiranë. Menjiherë pason arrestimi i tij dhe i të birit Gencit, i cili kishte luftue me batalionin «Besnik Çano» në Kosovë kundër çetnikëve dhe partizanëve jugosllavë.

 

Në prill të vitit 1945 Xh. Kortsha del para gjyqit special, të kryesuem prej Bedri Spahiut dhe Koçi Xoxes, ku akuzohet si tradhtar dhe si i shitun ndaj Italisë fashiste.

 

Gjatë debatit gjyqsor Xhevati i thotë trupit gjykues se nëse do të gjenin edhe nji rresht të vetëm të shkruem apo nji fjalë të thanun pro fashizmit ai do të pranonte dënimin ma të randë. E kur prokurori e akuzonte se kishte shpërdorue fondet e fapit, (fonde për arsimin të Ministrisë së asaj kohe), Xhevat Kortsha me dokumenta i vërteton se ai fond ishte përdorë me u dhanë nga nji rrogë të shtueme të gjith arsimtarëve në Shqipni dhe Kosovë.  Prokuror Bedriu atbotë kthehet e i thotë : E ke bërë që t’i bësh profashistë arsimtarët, i pandehur ! E Xh. Kortsha pa e prishë gjakun i kthehet me ironi prokurorit e i thotë :

 

– Paskeni një konsideratë të lartë për mësuesat shqiptarë, meqë mendokeni se me një rrogë u korruptuekan dhe ndërrokan idealet e tyre!

 

Në përfundim të atij proçesi farsë, gjyqi e dënoi me vdekje  (ishte hera e katërt që dënohej me vdekje, mbasi ma parë e kishin dënue turqit, grekët dhe austriakët) por ma vonë ja kthej dënimin në burgim të përjetshëm. Nji bashkëvuejtës i tij kujton sesi në vitin 1949 Xhevati ndodhej i shtruem në spitalin e burgun së bashku me nji farë Teme Shehu, kur papritmas shkoi për inspektim nji oficer i naltë i Sigurimit, i cili i thotë me shpoti:

 

– Ku jeni o baballarë të kombit. . .

 

Përgjegja që mori nga Xhevati ishte kjo:

 

– Le t’ua lemë historianëve për të gjykuar.

 

Pa vonue ai u nxor nga infermeria e burgut pa pasë marrë asnji mjekim.

 

Xh. Kortsha vuejti në burgun e Burrelit në kushtet mâ të vështira tue pasë afër si të burgosun Koço Tasin, Vissarion Xhuvanin, Mihal Zallarin, Sokrat Dodbibën, Gjergj Kokoshin, Salih Vuçiternin, Sami Bitinckën, Nino Kurtin, Aleksandër Çurçinë, At Pjetër Mëshkallën, dom Shtjefën Kurtin, Gjon Shllakun, Tefik Mborjen, Hysni Alimerkon, Tahir Hoxhën, Leonidha Kumen, Qemal Vrionin etj.

 

Përditë shokët e tij bashkëvuejtësa çonin me batanije me vorrosë tek pema mâ famëkeqe e rruzullit, tek Qershija e kampit të shfarosjes së Burrelit, djemë e pleqë që vdisnin prej torturave dhe prej kushteve të tmerrshme të atij burgu.

 

Tue vuejt mâ fort moralisht për dënimin e padrejtë dhe për çka ndodhte jashtë mureve të atij burgu, Xhevat Kortsha vendosi me i dhanë fund jetës me anë të nji greve urie. Ishte hera e parë që ndodhte nji gja e tillë në burgjet komuniste shqiptare. Vendimi i tij ishte i pakthyeshëm, me anë të kësaj sakrifice ekstreme ai donte me protestue ndaj padrejtësive dhe ndaj diktaturës së pamëshirshme të instalueme nga klika terroriste e Enver Hoxhës. Me atë gjest ekstrem ai donte me i tregue xhelatëve, se mbi vetë jetën qindron diçka ma e fuqishme dhe e paprekshme, qindron integriteti moral i personit, forca e të cilit përbuz edhe vetë jetën për me dishmue vlerën e madhe të lirisë së mbrendshme. Miqtë e dashamirët e burgut u përpoqën me ja ndërrue mendjen por pa sukses. Atëherë vendosën me i kërkue ndihmë At Pjetër Mëshkallës, i cili gëzonte autoritet të madh në burg. Jezuiti i urtë i shkoi te dysheku dhe ndër të tjera i tha:

 

– Xhevat, të lutem mos e humbë shpirtin. . . hiq dorë!

 

Me za gati të mekun ai ju përgjegj:

 

– Padre, kam kujtuar se të kam pasur mik dhe nuk ma merr mendja që tani, ndërsa unë po vazhdoj rrugën e nisur që të mos bëhem lodër e komunistëve, ti kërkon të më thyesh.

 

Padres i rrodhën dy pika lotë, – kujtonte bashkëvuejtësi, avokati Xhevdet Kapshtica, e puthi dhe u largue.

 

Nji ditë tjetër miqtë e tij provuen me i çue te dysheku edhe Gjergj Kokoshin, me të cilin ai nuk fliste mbasi e trajtonte si komunist. Tue i çue Kokoshin miqtë mendonin se ai do ta konsideronte si nji kërkesë falje dhe do t’i jepte fund grevës së urisë. Gjergj Kokoshi shkoi pranë tij dhe ndërsa ishte ulë në gjunjë dhe i jepte dorën, në vend që t’i mbushte mendjen me e lanë grevën, i tha i mallëngjyem:

 

– Xhevat, ti po e mbyllë jetën tënde me kapak floriri, hallall të qoftë, se po e bën atë që ne s’e bëjmë dot.

 

E tue i pasë thanë këto fjalë u largue prej tij me sytë e mbushun me lotë.

 

Ne tue mos dashtë me justifikue nji akt të jashtëzakonshëm siç asht vetvrasja, kufizohemi tue thanë se në rasën e Xhevat Kortshës sakrifica ekstreme nuk përban në vetvete nji mënyrë për me i shpëtue dënimit, por nji mënyrë për me kundërshtue ligjëshmëninë e atij dënimi e bile ma shumë, për me hedh poshtë ligjëshmëninë e vetë sistemit komunist shqiptar.

 

Disa shenjime rreth sprovave të para me karakter filozofik të Xh. Kortshës

 

Deri më sot nuk ekziston nji bibliografi e plotë dhe as nji përmbledhje e shkrimeve të botuem dhe të pabotuem të Xhevat Kortshës. Gjithsesi tue u mbështetë te kontributet e tija rinore tek e përkohshmja «Djalëria», e cila botohej në Vjenë prej studentave shqiptarë, mund të krijojmë nji ide rreth formimit dhe rreth botëkuptimit të tij filozofik.

 

Tek shkrimi me titull «Koha dhe njerëzt e mëdhenj»  (Djalëria, 1920, n. 3) ai ndalet tue analizue tiparet e gjeniut dhe raportin e tij me bashkëkohësit tue nxjerrë në pah karakterin pararendës të ideve dhe të mendimit të njerzve të mëdhaj. Njerzit simbas Xh. Kortshës, i cili në këtë analizë ndjek prej afër idetë e filozofit gjerman Schopenhauer, ndahen në tri kategori. Tue skematizue mund të themi se në nji anë janë gjenitë, ata që s’i nënshtrohen kohës në të cilën jetojnë por u hapin udhën brezave të ardhshëm. Mandej kemi ata që bajnë pjesë aktive në jetën kulturore e shkencore të kohës por pa mujtë me shtue diçka të re, e në fund rreshtohen ata që influencohen prej kohës në të cilën jetojnë dhe janë thjesht instrumente të momentit historik, që përjetojnë e nuk kanë nji kuptim të qartë për veten dhe për epokën e tyne, këta të fundit janë shumica.

 

Ashtë interesant fakti, se dy figurat e denja për t’u shenjue si njerz gjenial për ne shqiptarët, janë, simbas Xh. Kortshës: Mehmet Pashë Qypriliu dhe Gjergj Kastrioti. Temës së njerzve të mëdhaj dhe kontributit të tyne në historinë e kombeve ai do t’i kushtojë edhe nji artikull tjetër me titull «Otto von Bismarck»  (Djalëria, 1920, n. 5) – ku himnizon largpamësinë politike dhe shpirtin aktiv të shtetarit prusian, figurën e të cilit ai e nënkupton si të nevojshme edhe për nji vend si ai i yni. Ndërsa Skënderbeut ai i kushton nji artikull  (Djalëria, 1920, n. 1) përshkrues nga ana historike por që meriton vëmendje mbasi vën në dukje elementin e vullnetit të fortë tek heroi ynë kombtar, tipar ky themelor i njerzve të mëdhaj që i ndryshojnë rrjedhën historisë së njerzimit. Ndërsa te shkrimi me titull «Pësimet e njerzimet»  (Djalëria, 1920, n. 2) ndihen të forta notat e pesimizmit për “drunin e shtrembtë të njerzimit”  (I. Kant) dhe për të këqijat e pashmagnshme që e rrethojnë atë. E vetmja mënyrë për me moderue të këqijat e kësaj jete, ashtë mbjellja në shpirtin e njeriut e ndjenjës së mëshirës, e cila mundet simbas autorit, me drejtue disi rrugën plot rreziqe ku i takon me u përshkue njeriut të mjerë. Kurse te artikulli «Mendime mbi Shqipërinë»  (Djalëria, 1920, n. 8) djaloshi korçar shpreh nevojën e nji mbreti mendjendritun për vendin tonë, i cili duhet të dijë me bashkue dhe plazmue shpirtin tonë kombtar, tue i dhanë nji trajtë vendimtare edhe vetë shtetit shqiptar – i cili sapo kishte kalue provën e zjarrmit dhe përpiqej me ba hapat e para në liri. Mbi shtetin shqiptar dhe nevojën e nji reforme dhe nji kursi të ri në politikën e tij – ai ndalet edhe te fjalimi i tij me rastin e festës së Pamvarsisë, fjalim i mbajtun në gjinin e shoqatës së studentave shqiptarë në Vjenë  (shih: Djalëria, 1920, n. 9).

 

Çështja shqiptare dhe nevoja e organizimit të administratës mbi baza racionale si edhe domosdoshëmia e nji zyre shtypi me detyrën me i ba të njohtun botës përmes botimeve në gjuhë të hueja të historisë dhe të vlerave tona – trajtohet te artikulli me titull «Dyë nevoja urdhëruëse»  (Djalëria, 1921, n. 10). Kurse në shkrimin me titull «Shënja përparimi të vertet»  (Djalëria, 1921, n. 13) ai vëren me gëzim sesi krijimi i nji shoqate bamirëse të grave shkodrane për t’i ardhë në ndihmë fatosave që morën armët për me mbrojtë kufijtë e Shqipnisë ashtë shenjë i zgjimit moral të shoqnisë shqiptare. Fakti që ndërkaq shembulli i këtyne grave ishte ndjekë menjiherë prej grave vlonjate, banë që publicisti i ri të ndiejë krenari për pjesmarrjen në jetën politke dhe shoqnore të vendit të grues shqiptare. Ideja se kjo pjesmarrje forcon vetë shoqninë dhe drejton brezat e ri kah përparimi, i jep shpresë pendës së djalit, që shkruen:

 

«Përvujtërisht e prej thelbit të zemrës përgëzonj zonjat Shqiptare për veprat e mëdha patriotike, për ndjenjat e nalta atdhesore si dhe ca më shumë për fletoret që botojnë për t’u prie Shqiptareve duke u kallzue rrugën e kulturimit, detyrën familiare, mënyrën e arësimit të kalamanjve dhe mbielljen e ndjenjave të nalta e naltësimin e moralit».

 

Edhe shkrimi me titull «Gruaja»  (Djalëria, 1921, n. 14) pasqyron idetë përparimtare që vlerësojnë rolin e grues në shoqni dhe në familje. Nga ana tjetër autori konsideron realizimin e grues mbrenda natyrës së vet e cila përplotson atë të burrit, dhe së bashku me të ndërton shoqninë njerzore. Nderimi për gruen, për misionin dhe për qenjen e saj në shoqninë njerzore në përgjithsi dhe në atë shqiptare në veçanti, mbesin edhe sot e kësaj dite aktuale, mbasi edhe pse kanë kalue mâ shumë se 80 vjet prej kohës kur ashtë shkrue ai artikull, grueja shqiptare ende nuk ka mbërrijt me i pa të njohtuna të drejtat dhe prerogativat e veta gjinore.

 

Këto janë vetëm disa oroena të përcipta rreth botëkuptimit filozofik të nji djaloshi 28 vjeçar që mâ s’parit ka luftue me pushkë në dorë për me mbrojtë vendin e vet e mandej ka dijtë me përdorë edhe pendën për ndriçimin e mendjeve të bashkëkombësave të tij. Me siguri nji të nesërme, kur të njohim edhe pjesën tjetër të shkrimeve të tija të pabotueme si edhe të atyne që flejnë ndër të përkohshme tjera, kemi me mujtë me dhanë nji gjykim mâ të thellë për formimin e tij dhe për idetë e tija perëndimore. Xhevat Kortsha mbetet nji figurë shumë domethanëse në tribunën politike dhe kulturore të Shqipnisë së shekullit XX. Ai ashtë mbi të gjitha nji shembull i qendrimit moral konsekuent, që dijti me vu në jetë mësimet etike të mjeshtrave të mëdhaj të mendimit filozofik botnor. Kah ana tjetër, meritat e tija në lamijë të arsimit kombtar e vendosin atë përkrah figurave tjera të shndritshme që vepruen në hullinë e etënve të Rilindjes sonë, tue vu gjithmonë në krye të vlerave atdheun dhe përparimin e tij kulturor, moral dhe material.

Reklama

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Krijoni një sajt ose blog falas te WordPress.com.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: