Albert Vataj: Shqipëria e viteve ’20. Ja se si nisi historia e dashurisë për shqiptarët e veprimtares së Kryqit të Kuq Amerikan Rose Wilder Lane në vitin 1922

“Kostandinopoja s’është gjë! Të gjithë shkojnë në Kostandinopojë. Por nëse nuk shikon Shqipërinë, nuk ke parë gjë. Aty lart – po, pikërisht aty në ato male, një ditë rruge prej këtu – jetojnë njerëz si njëzet shekuj më parë, para se të njiheshin grekët, romakët ose sllavët. Ka ngulime parahistorike, legjenda të vjetra, këngë dhe zakone për të cilat nuk dihet asgjë. Asnjë i huaj s’i ka parë. Zoti i madh! Ti rri këtu dhe flet për Kostandinopojën!” “Por nëse nuk shkohet, si të bëjmë?” pyeta unë. “Si bëhet çdo gjë në jetë? Thjesht, bëhet! Marrim kuaj, u hipim dhe nisemi.” “Të marrim edhe pushkë me vete?” “Mos ki frikë, nuk ka rrezik. Mbase hasim në ndonjë pritë hasmërie dhe vrasin udhërrëfyesit tanë, por askush nuk vret gra. As burrat nuk vriten kur janë me gra.”, janë këto fjaët që Frances Hardy një veprimtare e Kryqit të Kuq Amerikan i tha Rose Wilder Lane një atjetër amerikane, aktiviste e Kryqit të Kuq, e cila ndodhej në një kamp refugjatësh në Shkodër.

Rose Wilder Lane ishte një grua me trup mesatar, me flokë të prera shkurt dhe me veshje perëndimore, një amerikane e njohur për karakterin dhe penën e saj, që vendosi të jetonte afro dy vite në Shqipëri dhe të kalonte një pjesë të kësaj kohe në udhëtim, kryesisht në Malësinë e Dukagjinit. Ajo shkroi me dashuri dhe vlerësim të lartë për Shqipërinë dhe shqiptarët në një kohë kur bota nuk dinte asgjë për vendin tonë.

Po kush ishte kjo grua që u dashurua me vlerat e traditat e një kombi në cep të Europës, që kishte jetuar 500 vjet nën Perandorinë Osmane dhe si pas saj u dashuruan dhe shqiptarët që e njohën nga afër që nga ministri i asaj kohe, Ahmet Zogu, më vonë Mbret, dhe deri tek malësorët e veriut, që shihnin tek kjo grua forcën e vërtetë të gruas së lirë. Sa më shumë njihej me banorët e Shqipërisë, aq më shumë ajo bindej se shqiptarët janë një popull i vjetër, me dinjitet, mirënjohës e mikpritës, i cili meriton të vlerësohet për atë që ai sjell në historinë dhe kulturën botërore. “Po t’i pyesësh shqiptarët nëse duan të shkojnë në Parajsë apo në Amerikë, ata pa ngurrim do të të përgjigjen, në Amerikë, sepse ata nuk janë të bindur se çfarë është Parajsa, po e dinë shumë mirë çfarë është Amerika”, i tha Kostandin Çekrezi, kur ajo e pyeti se çfarë mendojnë shqiptarët për Amerikën. Fëmijët shqiptarë, qoftë biri i një familjeje të pasur si mjeku i ardhshëm Shefqet Ndroqi, qoftë fëmijët e varfër,si djaloshi refugjat prej Vuthajt – Rexh Meta, apo Sadik Hasani nga Klosi e çiraku-këpucar Gjelosh, e mrekulluan me dëshirën e madhe për të ditur gjuhë të huaja, për të parë botën e madhe e për të mësuar të ndërtojnë makina.

Për shqiptarët fjalëpakë e me trupa si pantera, për gratë shqiptare gjithnjë në hije, dinjitoze e misterioze si askund, për ceremonitë e mikpritjes të shoqëruara me kafenë e ëmbël e ujin e zjarrtë-rakinë, që ishin pjesë e pandarë e udhëtimeve nëpër Shqipëri, ajo shkruan: të bëjnë të jesh tjetër njeri.

Edukimi i saj anglo-sakson, që e shtynte të ishte e drejtpërdrejtë,u përball me edukatën e një shoqërie orientale,ku pas mendimit të shprehur me zë, fshihej një prapamendim i heshtur. Me qëndrimin e vendosur, dijet e karakterin e saj Rose Wilder Lane magjepsi jo vetëm malësorin Lulash Gjok Çuni në Theth, po edhe Ahmet Zogun, një ministër që ëndërronte të bëhej mbret, edhe diplomatë e intelektualë të sapo kthyer në Shqipëri nga Stambolli, Vjena, Parisi, ShBA.

Rose Wilder Lane ishte një prej gazetareve më të paguara të kohës së saj

Blog te WordPress.com.